Logo

    Njiheni policin tuaj – kanė vazhduar takimet me qytetarė

    Prishtinë, 7 shkurt 2013 - “Njiheni policin tuaj”, është motoja e fushatës tremujore të organizuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Kjo fushatë ka për qëllim që drejtpërsëdrejti t’u ofroj informacion qytetarëve lidhur me atë që tashmë njihet si “policimi në komunitet”, e që është filozofi e re e punës së policisë. Kjo formë e punës, ka për qëllim të ofroj sa më shumë qytetarët me policinë, që qytetarët të dijnë se ku mund të drejtohen, jo vetëm kur rastisin në ndonjë vepër, por edhe të kontribuojnë në parandalim.

    Në maj të vitit 2012, Policia e Kosovës, ka filluar zbatimin e strategjisë “Policimi në bashkësi”, sipas së cilës, ndarja në sektore mundëson që çdo vendbanim i përket një sektori, ku janë zyrtarët e caktuar policor, e që punojnë vetëm në atë zonë. Këta zyrtarë policor, janë në komunikim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me qytetarë, ku këta të fundit lirshëm mund të raportojnë rastet e ndryshme që mund të shkaktojnë pasiguri në komunitetin e tyre. Është kjo formë e punës së policisë, e cila si rezultat i krijimit të besimit mes qytetarëve dhe policisë, i kontribuon sigurisë në vendbanime dhe e lehtëson punën e policisë.

    FIQ dhe Policia e Kosovës, në muajin dhjetor 2012, filluan fushatën “Njiheni policin tuaj”, ku deri tani aktivitetet e takimeve të rastit dhe debateve me qytetarë janë realizuar në Prishtinë, Suharekë, Kaçanik, Viti, Drenas, Rahovec dhe Shtërpcë. Qytetarëve u janë shpërndarë fletushka njoftuese, të cilat përmbanin konceptin e policimit në bashkësi dhe numrat e telefonit pa pagesë, në mënyrë që qytetarët të dijnë ku të drejtohen.

    Kryesisht, institucionet si drejtoritë e shkollave dhe bashkësitë lokale, u shprehën të kënaqur me punën e policisë dhe poashtu të njoftuar qoftë me konceptin e policimit në bashkësi, e poashtu edhe me policin e sektorit. Në ndërkohë, qytetarët nuk ishin edhe aq të njoftuar me konceptin, e aq më pak me policin e sektorit.

    Përveç shpërndarjes së fletushkave informuese, nëpër disa komuna u mbajtën edhe takime me përfaqësues të lagjeve dhe fshatrave, ku u diskutua për problemet me të cilat ballafaqohen ato vendbanime.

    Nga diskutimet e qytetarëve, një nga problemet kryesore del të jetë mungesa e besimit të qytetarëve për të raportuar rastet apo për të dëshmuar, si dhe intervenimi i ngadaltë dhe shpesh i vonuar i policisë, sidomos në rastet kur ka mundësi të kapen kryesit në vepër. Një problem që u diskutua pothuajse në të gjitha takimet me përfaqësues fshatrash, ishte ndërrimi i shpeshtë që u bëhet zyrtarëve policor të sektorit, e zgjidhja për këtë problem, nëse duhet detyrimisht të ndërrohet zyrtari i sektorit, të jetë një numër i caktuar telefoni, i cili do të vazhdoj t’i takoj sektorit edhe nëse ka ndërrim të zyrtarit të sektorit, ose të obligohen zyrtarët e rinjë të sektorit të lajmërojnë të gjithë përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve të zonës së caktuar për ndërrimet.

    mbrapa