Logo

FIDES 2012

HYRJE  
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) mbështet njerëzit të cilët marrin pjesë aktive në përmirësimin e jetës në komunitetin e tyre. FIQ gjatë viteve të fundit, e ka shtuar aktivitetin e vet në Kosovë për të promovuar filantropinë në shoqërinë kosovare. Në vitin 2009, FIQ filloi një traditë të re në shoqërinë tonë, atë të shprehjes së mirënjohjes publike për  bizneset dhe individët të cilët dëshmuan angazhimin e tyre për  rritjen e cilësisë së jetesës në Kosovë. Edhe këtë vit, FIQ do të ndaj Çmimin FIDES, duke i ofruar mundësinë për aplikim bizneseve dhe individëve  të cilët kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.


Nga data 1 Shtator 2012, FIQ shpall të hapur konkursin për Çmimin FIDES për kompanitë, ndërmarrjet dhe individët të cilët gjatë vitit 2012 kanë përkrahur aksionet jo-profitabile, të iniciuara nga organizatat e ndryshme,  grupe të organizuara shoqërore, ejt, e të cilat kanë rezultuar në të mirën e komunitetit. 
Çmimi FIDES i dhurohet kompanisë dhe individit të cilët në mënyrë sistematike dhe të kujdesshme kanë përkrahur aktivitetet dhe projektet e interesit të përbashkët. Kompania fituese do të shërbej si model i suksesshëm  dhe inspirues për të tjerët, duke lënë publikisht të kuptohet se si duhet të investohet për të mirën e komunitet. Çmimi FIDES do ti dhurohet edhe personit i cili në mënyrë të vazhdueshme ka përkrahur aksionet jo-profitabile, organizatat apo grupet e organizuara shoqërore të cilët në mënyrë efektive dhe të frytshme janë angazhuar në zgjidhjen e problemeve në shoqërinë tonë.

Ne besojmë se ky çmim i parë i këtij lloji, që në Kosovë ndahet për herë të katërt do të shërbejë si pikë referimi për investimet e ardhshme për një jetë më të mirë në Kosovë. Synim i këtij çmimi prestigjioz është bërja publike e emrave të kompanive, ndërmarrjeve dhe individëve, të cilat kanë përkrahur financiarisht projekte që kanë kontribuar për të mirën e përbashkët të popullit të Kosovës.

Dhënia e çmimit, vetvetiu u ofron mundësi shoqatave, organizatave joqeveritare dhe në përgjithësi përfituesve të donacionit, që publikisht të shprehin mirënjohjet e tyre për dhuruesin e donacionit. Në anën tjetër, çmimi do të bëjë të mundur që fituesit të gëzojnë edhe një përkrahje të gjerë publike për projektet që ata kanë mbështetur me aq bujari. Çmimi FIDES dhe ceremonia e ndarjes së këtij çmimi, është një mundësi ideale për të promovuar partneritetin dhe bashkëpunimin e sinqertë në mes të sektorit të biznesit, iniciativave qytetare, organizatave joqeveritare dhe individëve. 
Kompanitë dhe individët që marrin pjesë në konkurs, mund të konkurrojnë vetë ose të nominohen nga të tjerët.

Të drejtë konkurrimi kanë të gjitha kompanitë vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës dhe individët që jetojnë në Kosovë apo diasporë e që kanë përkrahur aksionet ose organizimet shoqërore dhe jo-profitabile gjatë vitit 2012.

Në këtë  rast, partnerët dhe donatorët e FIQ, automatikisht janë të përjashtuar nga pjesëmarrja në këtë konkurs. 
Nominimet për çmim mund të bëhen nga të gjithë qytetarët e organizuar, individët, OJQ-të, mediat, etj.  

KATEGORITË E ÇMIMIT FIDES 2012 JANË:

  • Çmimi FIDES për kontribut në nivel kombëtar
  • Çmimi FIDES për kontribut në komunitetin lokal ku vepron kompania
  • Çmimi FIDES për Filantropi "Anton Çetta" - çmimi për kontributin individual
  • Çmimi FIDES për Filantropi “Diaspora” për individët dhe bizneset e disporës
  • Çmimi FIDES për Mjedis

ÇMIMI 
Pranuesi i çmimit do të fitojë:

  • Të drejtën të  shfaqin shenjën zyrtare të Çmimit për 2012 në të gjitha produktet e tyre, materialin promovues dhe dokumentet
  • Një skulpturë  të bërë enkas për këtë qëllim (një copë  arti që simbolizon idenë e bamirësisë)
  • Një promovim të  rëndësishëm medial nga FIQ
  • Një mirënjohje që shpjegon rëndësinë e çmimit

KËRKESAT PËR KONKURIM
Për këtë konkurs, aktivitetet e nominuara të kompanisë/ndërmarrjes, individit duhet të jenë të implementuara gjatë vitit 2012.
Numër i pakufizuar kompanish/ndërmarrjesh, individësh mund të konkurrojnë, por në fund çmimi do ti dhurohet vetëm një kompanie/një individi.
Në konsiderim do të merren vetëm aplikacionet e kompletuara në mënyrë të rregullt, si është përshkruar në formularin zyrtar të FIQ për aplikim dhe që do të arrijnë para skadimit të afatit të caktuar.
Afati i fundit për  paraqitjen e aplikacioneve dhe dokumenteve shoqëruese është 31 Tetor 2012.
Fituesit final do të shpallën gjatë Ceremonisë së Dhënies së Çmimit me 5 dhjetor 2012.


KOMISIONI PËRZGJEDHËS I ÇMIMIT
Pas një vlerësimi tërësor të të gjitha nominimeve dhe aplikimeve, vendimi për fituesin e çmimit do të bëhet nga një komision i pavarur (komisioni përzgjedhës) sipas disa kritereve unike. Juria do të përbëhet nga njerëz eminent të jetës publike dhe shoqërore.

KRITERET THEMELORE PËR SELEKSIONIM TË FITUESVE 
Gjatë procesit të marrjes së vendimit, juria do të ketë parasysh disa kritere:

  • Pranuesi i donacionit nga kompania/ndërmarrja, individi është duke e përfunduar ose tashmë e ka  përfunduar projektin, i cili ka prodhuar rezultate të qarta dhe të matshme.
  • Kompania/ndërmarrja, individi ka përkrahur disa herë në të kaluarën aktivitetet jo-fitimprurëse dhe projektet për të mirën e komunitetit/shoqërisë.
  • Përveç mbështetjes së drejtpërdrejt financiare, kompania/ndërmarrja, individi  i ka ofruar pranuesit të donacionit edhe mbështetje të llojit tjetër (p.sh: kalim të njohurive dhe aftësive, etj.)
  • Kompania/ndërmarrja që është donator e udhëheq biznesin në mënyrë legale, në përputhje me standardet etike dhe në përputhje me përgjegjësinë sociale të afarizmit, siç janë: sjellja etike ndaj të punësuarve, klientëve, ambientit, etj.