Udhëzime për aplikim për grant

Programi i Granteve

Programi i Granteve, që nga viti 2009, ka qenë një pasuri e vlefshme e organizatës në mbështetjen e iniciativave që kanë patur për qëllim forcimin dhe rritjen e pjesëmarrjes qytetare. Programi i Granteve, ka lehtësuar rrugën dhe veprimtarinë, përmes granteve të vogla, veçanarisht për OJQ-të lokale, për të realizuar projekte të rëndësishme dhe kuptimplota për mbrojtjen e mjedisit, rritjen e aktivizmit qytetar, por dhe duke mbështetë individët dhe komunitetet, të cilët kanë paraqitur ide të rëndësishme dhe iniciativa që kanë patur rol të rëndësishëm për të mirën e përbashkët.

Pas rishikimit të strategjisë së organizatës (2014-2016), FIQ ka për qëllim të vazhdojë mbështetjen e OJQ-ve vetëm me bazë lokale, organizatat komunitare, grupet joformale dhe ndërmarrësit e rinj, të cilët pretendojnë për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të qëndrueshëm të shoqërisë.


Fushat strategjike të punës në kuadër të Programit të Granteve janë:

v Energjia dhe mjedisi

v Zhvillimi ekonomik

v Siguria në bashkësi

v Edukimi inovativ

  • Energjia dhe mjedisi

- Promovimi i opsioneve të qëndrueshme të zhvillimit të sektorit të energjisë në Kosovë

- Puna me biznese, institucione lokale dhe qendrore dhe me komunitetin për të siguruar dhe krijuar hapësira të gjelbërta, si dhe për rritur ndërgjegjësimin publik për ndikimet mjedisore


  • Zhvillimi ekonomik

- Mbështetja, avokimi dhe promovimi i politikave dhe legjislacionit që ndikojnë në zhvillimin ekonomik përmes perspektivave ndër-sektoriale

- Idetë e ndërmarrësve të rinj, të cilët gjenerojnë vende të reja pune


  • Siguria në bashkësi

- Promovimi i nevojave të komuniteteve për të fuqizuar pjesëmarrjen dhe kapacitetet e tyre në shoqëri

- Bashkëpunimi aktiv me institucionet vendore dhe aplikimi i praktikave të përshtatshme ndërkombëtare

- Promovimi i ideve ku grupet e ndryshme shoqërore zhvillojnë bashkë struktura për nevoja komunitare


  • Edukimi inovativ

- Adresimi i sfidave aktuale në sistemin arsimor

- Trajtimi i sfidave arsimore përmes praktikave inovative të përqendruara në mësimin interaktiv të bazuar në përmbajtje

- Avokimi për të ndërtuar dhe profilizuar sistemin arsimor kombëtar në fushat specifike ku Kosova ka përparësi krahasuese

- Përkrahja e klubeve shkollore të debatit dhe mendimit kritik

- Angazhimi aktiv i nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve me qasjen e partneritetit trepalësh, me qëllim të zhvillimit të strategjive të qëndrueshme afatgjatë.

Mekanizmi i shqyrtimit dhe aprovimit të granteve

Programi i Granteve ka një mekanizëm fleksibil të aplikimit dhe shqyrtimit të projekt-propozimeve. Aplikimi mund të bëhet gjatë gjithë vitit, pa afate të kufizuara, përmes formularit online në uebfaqen e organizatës ose përmes shkarkimit të këtij aplikacioni dhe dërgimit përmes postës elektronike në info@fiq-fci.org. Në këtë formular kërkohen informacione për organizatën apo subjektin dhe përshkrim i shkurtër i konceptit të projektit të propozuar.

Shuma për një grant nuk është e kufizuar, por Programi i Granteve i FIQ kryesisht mbështetë projekte me grante të vogla. Një nga kriteret e mbështetjes së projektit, është edhe pjesëmarrja e komunitetit përmes bashkëfinancimit, por edhe gjetja e burimeve tjera lokale.

Fondi i Programit të Granteve ka një cikël të vazhdueshëm të ngritjes së fondeve nga donatorët e jashtëm, nga komunitete i biznesit vendas dhe nga filantropët individual, andaj mundësitë e FIQ për të përkrahur projektet cilësore dhe të përshtatshëm me objektivat e Programit të Granteve, do të varen nga fondet që kemi në dispozicion.

Projekt-propozimet që nuk përputhen me objektivat e Programit të Granteve, do të njoftohen me shkrim brenda 7 ditësh se koncept-projekti i propozuar nuk është i përshtatshëm dhe nuk përputhet me objektivat e programit.

Projekt-propozimet që ofrojnë ide kualitative brenda kornizës së objektivave të Programit të Granteve, do të njoftohen me shkrim brenda 3 javësh për të dërguar projekt-propozimin e detajuar dhe do të shqyrtohet mbështetja e tyre nga menaxhmenti i FIQ-it në një afat optimal.

Vendimin për ndarjen e granteve do ta bëj një komision i veçantë i përbërë nga: Stafi menaxhues i FIQ, përfaqësues të komunitetit të biznesit vendor dhe përfaqësues të subjekteve që financojnë fondin e Programit të Granteve.

Projektet që nuk financohen nga Programi i Granteve:

  • Projekte për qëllime të kujdesit shëndetësor
  • Projekte me karakter religjioz, politik
  • Projekte të institucioneve shtetërore
  • Projekte që bien ndesh me kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit
  • Projekte që dyfishojnë punën e programeve tjera të FIQ
  • Bursa për studime, udhëtime studimore, pjesëmarrje në konferenca jashtë vendit
  • Të ngjashme