Vendoset "Kodi i mirësjelljes" në tri shkolla

14 Shtator 2009 - Forumi për Iniciativa Qytetare, mbështetur nga “Caritas Luxemburg”, që nga fillimi i muajit shkurt të këtij viti është duke zhvilluar projektin me titull “Siguria në shkolla”. Ky projekt ka përfshirë Gjimnazin “Skënderbeu” dhe Shkollën Profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Çaka” në Kaçanik, dhe Gjimnazin “Dardania” në Hanit të Elezit. Qëllimi i këtij projekti është përkrahja dhe mbështetja e shkollave në çështjet e sigurisë, gjithmonë duke punuar me metodat të cilat ndihmojnë në avancimin e sigurisë në shkolla. Duke bashkëpunuar me zyrtarët komunal, DKA, drejtorët e shkollave të mesme, anëtarët e Këshillit të Prindërve, mësimdhënësit dhe nxënësit, ne kemi formuar Këshillet e Sigurisë së Shkollave si grupe joformale në kuadër të projektit. Këto Këshille kanë identifikuar gjatë takimeve të rregullta  problemet e ndryshme në këto shkolla, dhe më pas duke bërë listën prioritare apo listën e problemeve, për të cilat kemi patur kapacitete dhe mundësi të angazhimit për t’i trajtuar apo dhe zgjidhur.
Duke u përqendruar në përafrimin e objektivave të këtij projekti, “Kodi i Mirësjelljes” një udhëzim i MASHT-it është vendosur në korniza në të gjitha klasët dhe korridoret e të trija shkollave. Poashtu, një mikro-grant i paraparë në projekt është përdorë për të blerë ulëse në oborret e këtyre shkollave, ku në secilën shkollë janë vendosur nga 13 ulëse.

Këto ditë është hapur edhe konkursi në dy shkollat e mesme në Kaçanik për të përzgjedhur emblemat e shkollave, të cilat më pas do të vendoseshin në uniformat e nxënësve, për të dalluar kështu nxënësit e secilës shkollë. Konkursi ka qenë vetëm për nxënës, në mënyrë që të nxitet angazhimi kreativ i tyre.

Në Kaçanik është zhvilluar një radio debat në “Radio Kaçanik” ku zyrtarë komunal, drejtorë dhe nxënës kanë shtjelluar problemet e përgjithshme.
Ndërsa debate publike me prindër dhe qytetarë do të organizohen në Kaçanik dhe Han të Elezit në fund të shtatorit.

Këto aktivitete, si dhe aktivitete tjera që do të zhvillohen deri në fund të tetorit, kanë synim përmirësimin e komunikimit në mes të akterëve kryesor të komunitetit shkollar, në mënyrë që të inkurajojnë ata që të marrin pjesë në procesin e vendim marrjes dhe të kontribuojnë në përmirësimin e sigurisë dhe ambientit shkollor.