Kuvendi i Kosovës të mbikëqyrë punën e misionit të EULEX-it

Kërkesë nga:


Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) – Prishtinë,
Instituti për Studime të Avancuara, GAP -  Prishtinë
Aksioni Qytetar FOL’08 – Prishtinë,
Iniciativa për Progres (INPO) – Ferizaj,
Community Buiulding Mitrovica (CBM) – Mitrovicë,
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC) – Gjilan,
Këshilli për Paqe dhe të Drejta të Njeriut (PHRC) – Prizren,
Qendra për Zhvillimin e Komunitetit të Biznesit (CBDC) – Gjakovë,
Syri i Vizionit (SiV) – Pejë,
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) – Prishtinë,
Instituti Kosovar për Media dhe Politika (KIMP) – Prishtinë
Mileniumi i Ri – Prishtinë 


Z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Kopje:

Z. Rrustem Mustafa, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri

Z. Bahri Hyseni, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe Gjyqësi

 

Lënda: Kuvendi i Kosovës të mbikëqyrë punën e misionit të EULEX-it

 

I nderuar Z. Krasniqi,

Nga një numër hulumtimesh mbi perceptimet qytetare lidhur me sigurinë është vërejtur se ndër shkaktarët kryesor të konfliktit është edhe konfuzioni lidhur me mandatin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Kjo gjë u provua edhe para disa javësh me mbajtjen e protestave paqësore kundër planit gjashtë pikësh të SP të OKB-së.

Për t’u siguruar që EULEX do të veproj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe me këtë të ofrohet qartësi sa i përket misionit të tij, Kuvendi, gjegjësisht, Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi, në bazë të mandatit të vet dhe në përputhje

me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e në veçanti si bartës i sovranitetit të popullit të Kosovës, duhet të ushtroj mbikëqyrjen e zbatimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë.

Vetë ardhja e EULEX-it në Kosovë është bërë në bazë të një numri dokumentesh me rëndësi, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, siç janë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës si dhe Ligji mbi kompetencat, përzgjedhjen e lëndëve dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it në Kosovë, dokumente këto që sigurojnë bazë të mjaftueshme ligjore për të mbikëqyrur punën e EULEX-it, duke siguruar kështu transparencë dhe llogaridhënie.

Ndërsa, me themelimin e Gjykatës Kushtetuese do të sigurohet edhe mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës.

Andaj, në përputhje me këto dokumente dhe obligimin kushtetues që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe duke u bazuar në faktet e njohura për mungesën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies nga zyrtarët e UNMIK-ut, kërkojmë që të ushtroni autoritetin tuaj në mbikëqyrjen e punës së këtij misioni.

Sinqerisht,

Ferdinand Nikolla,
Drejtor Ekzekutiv
Forumi për Iniciativa Qytetare
044 17 18 45