Lubinja Epërme, me probleme sigurie, e harruar nga institucionet

Prizren, 01 tetor – Lubinja e Epërme është fshat i banuar me popullatë boshnjake. Gjindet afro 9 km larg Prizrenit, afër kufirit me Maqedoninë. Ka tre mijë banorë, shkollën fillore me 400 nxënës, disa biznese të vogla, një radio stacion. Banorët ankohen për diskriminim nga autoritetet komunale. Sipas tyre, edhe diskriminimi krijon pasiguri për ta. Në takimin e gjerë me komunitet, më 19 shtator, ata kanë identifikuar disa probleme të përditshme.

Janë 7-8 shtylla elektrike në fshat që rrezikojnë të rrëzohen. Edhe për këtë ata kanë bërë dhjetëra herë kërkesa tek KEK-u, të cilët kanë shkuar dhe kanë konstatuar gjendjen, por nuk i kanë rregulluar ato. Dy probleme tjera shumë të ndjeshme për ta janë mungesa e prezencës së policisë në fshat dhe mungesa totale e komunikimit dhe bashkëpunimit me trupat paqeruajtëse të KFOR-it. Të rinjtë rrijnë rrugëve gjatë natës, shkaktojnë probleme dhe vjedhje, ndërsa policia është tepër neglizhente dhe joprofesionale, sipas banorëve. Ata thonë se policia shkon rrallë, vetëm kur i thërret dikush dhe atë me vonesë dhe pa profesionalizëm, ndërkaq nuk bëjnë patrullime rutinore në fshat. Ndërsa, sipas tyre, KFOR-i nuk ka ndërtuar kurrfarë komunikimi me banorët. Përfaqësuesit e fshatit thonë se banorët kanë investuar vet në shumë sfera të jetës. E paguajnë me vetparticipim sekretarin e Zyres së fshatit, poashtu e paguajnë punëtorin që mirëmban rrugën e fshatit. Ata e kanë mirëpritur projektin për siguri në komunitet. Thonë se banorët janë të dëshpëruar me autoritetet.