Leter drejtuar Z.Jakup Krasniqi

Leter drejtuar Z. Jakup Krasniqi 
Z. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lënda: Kuvendi i Kosovës të mos lejojë përfaqësimin e Kosovës nga EULEX-i në nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë

I nderuar Z. Krasniqi,

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të tensionimit të raporteve në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës me misionin e EULEX-it, për shkak të përgatitjeve për nënshkrimin e një protokolli të bashkëpunimit në mes të EULEX-it dhe autoriteteve të Serbisë.

Ne, organizatat e shoqërisë civile, më 17 dhjetor 2008 përmes një letre patëm kërkuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ushtroj mbikëqyrjen e zbatimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë. Por, jemi dëshmitarë që institucionet e Kosovës nuk e ushtruan përgjegjësinë kushtetuese në qartësimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë dhe si rrjedhojë mandati i EULEX-it edhe sot vazhdon të shkaktoj reagime dhe situata sprovuese për institucionet shtetërore të vendit, duke provokuar poashtu edhe opinionin publik.

Ne përshëndesim deklarimin dhe qëndrimin e krerëve shtetëror të Kosovës për të kundërshtuar që EULEX të nënshkruaj çfarëdo marrëveshje me Republikën e Serbisë, por deklarimet e tilla duhet të përcillen me veprime konkrete, andaj kërkojmë nga organi më i lartë kushtetues në vend, Kuvendi i Kosovës që:

Si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve të mbroj rendin kushtetues dhe ligjor në vend dhe t’i bëjë me dije misionit teknik të EULEX-it se do të ndaloj çdo tentativë apo veprim që del jashtë mandatit të këtij misioni;
Të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në përfundimin e procesit të bartjes së përgjegjësive dhe kompletimin sa më parë të legjislacionit sistemor e në veçanti të atij nga fusha e drejtësisë dhe punëve të brendshme që do të mundësonin qartësimin e autoritetit të të gjitha institucioneve dhe krijimin e një sigurie më të lartë juridike për qytetarët e Kosovës;
Në çfarëdo situate, Kuvendi të pamundësoj zbatimin e këtij protokolli në territorin e Republikës së Kosovës, sepse do të çonte drejtë tensionimit të mëtutjeshëm të situatës në vend.
Duam të përkujtojmë se Kuvendi i Kosovës ka obligim kushtetues të garantoj integritetin shtetëror të vendit, ka përgjegjësi kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa ne i bëjmë thirrje Kuvendit që urgjentisht të qartësoj mandatin dhe raportet në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it.

Në të kundërtën, nëse Kuvendi mbetet i heshtur sikur edhe më parë, atëherë Kuvendi duhet të bartë përgjegjësinë kryesore për pasojat eventuale si rrjedhojë e vazhdimit të ekzistimit të këtij konfuzioni, duke vështirësuar edhe më tej funksionalitetin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) – Prishtinë,
Aksioni Qytetar FOL’08 – Prishtinë,
Syri i Vizionit (SiV) – Pejë,
Iniciativa për Progres (INPO) – Ferizaj,
Community Buiulding Mitrovica (CBM) – Mitrovicë,
Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC) – Gjilan,
Këshilli për Paqe dhe të Drejta të Njeriut (PHRC) – Prizren,