Mbahet konferenca “Siguria në komunitet”

Prishtinë, 12 Shkurt - Forumi për Iniciativa Qytetare dhe Saferworld organizuan në Prishtinë konferencën me temën “Siguria në Komunitet”. Qëllimi i kësaj konference ishte të ofroj mundësi të shkëmbimit të përvojave mes akterëve që angazhohen në përmirësimin e sigurisë në komunitet, dhe të identifikoj mundësitë e përfshirjes së këtyre përvojave në politikëbërje. 

Në pjesën e parë të konferencës prezentuan përvojat dhe të arriturat përfaqësuesit e tri komuniteteve ku FIQ dhe Saferëorld kanë punën përmes Planit për Komunitete me të Sigurta, Gërmovë, Raushiq dhe Gjilan, ndërsa në konferencë merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera poashtu që kanë qenë pjesë e programit “Vend i Sigurtë”, ndërsa ndër 50 pjesëmarrësit tjerë ishin përfaqësuesit nga Departamenti i Çështjeve të Komunitet në Policinë e Kosovës, nga Zyra ligjore dhe ajo për barazi gjinore e Kryeministrit, organizatat ndërkombëtare UNDP, OSBE, CARITAS Luxembourg, ICITAP, përfaqësues nga KFOR-i, EULEX-i, shoqëria civile, përfaqësues të komuniteteve, nxënës dhe studentë.

Din Mulliqi, nga Raushiqi, Rrahim Sylejmani nga Gërmova dhe Irfan Veseli, nga Gjilani u përqëndruan në përvojat e fituara, në arritjet e tyre gjatë punës dhe qëndrueshmërinë e projekteve që kanë synuar përmirësimin e sigurisë në komunitetet e tyre.

Konferenca ofroi një forum për institucionet dhe shoqërinë civile të Kosovës për të diskutuar një numër të çështjeve që duhet të trajtohen në lidhje me sigurinë në komunitet, dhe ndërlidhjet me zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe sigurinë njerëzore në Kosovë.