FIQ organizon organizon konferencën “Volunteers in Action”

Në kuadër të muajit të Filantropisë, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) organizoi Konferencën “Volunteers in Action” me qëllim të vetëdijesimit të të rinjve mbi rëndësinë e filantropisë dhe punës vullnetare. Duke pas parasysh rritjen e interesimit dhe dëshirës së të rinjve për t'u bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme vullnetare, me fokus në të mirën e komunitetit FIQ ka vendosur të organizojë konferencën në fjalë ku organizatat e ndryshme ndanë përvojën e tyre për vullnetarizmin. 

Organizatat pjesëmarrëse në konferencë ishin: FIQ, UNICEF Innovations Lab Kosovo, Innovation Centre Kosovo, Termokiss, Down Syndrome Kosova, XPortal ESports, Youth Council i Ambasadës së SHBA-ve si dhe Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. 

Dajana Berisha, Drejtore e FIQ tha se FIQ promovon vullnetarizmin dhe filantropinë në baza ditore duke i inkurajuar të rinjtë që të bëhen pjesë e aktivizmit qytetar por edhe vendimmarrjes për një komunitet më të mirë.

“Është në dorën tuaj  si të rinj të vendosni cilat janë normat sociale të shoqërisë tonë. Në planin shpirtëror vullnetarizmi krijon komunitetin. Në planin ekonomik ofron mundësi zhvillimi dhe punësimi. Vullnetarët ofrojnë shërbime që jo domosdoshmërisht tregu i punës mund t’i mbulojë”, tha znj. Berisha për të cekur se një ndër çmimet për njohjen e kontributeve filantropike FIDES këtë vit do të jetë edhe çmimi për lidership rinor që vlerëson të gjithë ata që kanë punuar për promovimin e të rinjve.

FIQ promovon filantropinë si një sistem vlerash ku vullnetarizmi është pjesë e tyre dhe ka disa projekte që realizon në kuadër të zhvillimit të vullnetarizmit si Young Ambassadors. 

Ndërkaq Labinot Berisha nga Ministria e Rinisë Kulturës dhe Sportit tha se tanimë ekziston udhëzimi administrativ që rregullon njohjen institucionale të punës vullnetare.

“Të rinjtë që bëjnë punë vullnetare mbrohen me këtë udhëzim i cila jep mundësinë e njohjes së punës vullnetare si përvojë pune. Si Ministri po punojmë ta avancojmë platformën digjitale e cila ofron ndërlidhjen e vullnetarëve me organizatat si dhe shumë shërbime të tjera”, tha Z. Berisha për të shtuar se  Ligji për Vullnetarizmin do të nis të hartohet në vitin 2018.

Përfaqësues të organizatave pjesëmarrëse ndërkaq prezantuan mundësitë që ato ofrojnë për kultivimin e vullnetarizmit si dhe vlerësuan lartë kontributin e vullnetarëve në shtytjen përpara të së mirës së përbashkët. U diskutua për  ndërlidhjen e punës vullnetare me inovacion, teknologji, ndërmarrësi dhe nisma të suksesshme në baza vullnetare.

Çlirim Sheremeti, vullnetar, i cili filloi të merrej me aktivitete që nga një moshë shumë e re e sot drejton organizatën e tij foli për punën vullnetare nga perspektiva e një të riu vullnetar. Ai tha se puna vullnetare ofron aftësim dhe shumë mundësi për të rinjtë për të sjellë ndryshim në shoqëri.

Ndërkaq Merisa Abdullahu nga FIQ, tha se në Kosovë po rriten mundësitë e pjesëmarrjes në aktivitete vullnetare, që e dëshmon edhe puna e FIQ me të rinjtë. 

“Vullnetarizmi dhe Filantropia tashmë kanë një emër dhe zënë një vend të rëndësishëm në funksionimin e një shoqërie të shëndoshë. Pavarësisht faktit se ne si të rinj përballemi me probleme dhe sfida nga më  të ndryshmet, është tejet inspirues fakti që kjo rini gjithmonë gjen vullnetin dhe dëshirën për të punuar në të mirën e komunitetit”, shtoi ajo.

Pas konferencës u organizua një mini-panair nga grupe jo-formale dhe të rinj të angazhuar në projekte të ndryshme.